Ja sa persona kanë marrë vaksinën anti-COVID-19 në Kryeqytet

0
21
Reklame e sponzorizuar
Nuk pati pritje të gjata për personat e shtyrë në moshë, të cilët kishin vendosur të vaksinohen në qendrën“1 Tetori”, në Prishtinë. E pas marrjes së dozës, secili nga të moshuarit qëndronin ulur për 15 minuta, sipas rregullave të vendosura për personat e vaksinuar.

Edhe të premten ka vazhduar procesi i vaksinimit të të moshuarve mbi moshën 85 vjeçare. Në ditën e dytë të vaksinimit të personave mbi këtë moshë, deri në mesditë 109 të moshuar kanë marrë dozën “AstraZeneca” në qendrën e vaksinimit “1 Tetori”, në Prishtinë.

Ndërkohë që për dy ditë janë vaksinuar mbi 300 të moshuar. Për të njëjtit po thuhet se kanë gjendjen e mirë dhe se nuk kanë shfaqur reaksione pas vaksinimit.

Të njëjtat procedura po i ndiqte edhe 85 vjeçari, Bejtush Raqi. Ai ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë deri në pension. Thotë se asnjëherë nuk ka pasur ankesa për shëndet, por që për sigurinë e tij ka vendosur që të marrë dozën e vaksinës.

“Unë kam punuar në Fakultetin e Mjekësisë deri në pension. Nga pensioni nuk kam pasur kurrfarë problemi në jetë, por na zuri kjo dilemë, ky rrezik për krejt botën. InshAllah shpëtojmë lehtë. InshAllah kthehemi, sidomos për ju të rinjtë”, thotë ai.

Për dallim nga Raqi, një i moshuar pak më i ri se ai, vuan nga disa sëmundje. Iljaz Hoxha i cili është 81 vjeçar tregon se në nëntor ishte ballafaquar me sëmundjen, ende jo plotësisht të njohur.

“Nuk ka pse të frikësohemi, vaksina është vaksinë. InshAllah na bën mirë. Kam pasur infarkt, kam diabetin edhe tension të lartë”, shprehet ai.

Të njëjtën lutje e ka edhe Ahmet Hyseni nga Prishtina, i cili tregon se nga lajmërimi që i ka ardhur për vaksinim, nuk ka hezituar për marrjen e kësaj doze.

“Kam ardhur sipas thirrjes publike për vaksinë, e mora. Kalova mirë deri tash ta këqyrim, mendoj që edhe më mirë do të bëhet….Jo, çka mu frikësua se kam të parën”, tregon ai.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se sot ka pasur numër më të madh të vaksinuarve.

“Kemi të vaksinuar në total 313 të vaksinuar, që vetëm ditën e sotme i kemi 109. Por, siç po e shihni në mënyrë kontinuele është duke ecur vijueshmëria dhe ardhja e tyre për t’u vaksinuar. Kështu që deri në orët e mbrëmjes pa dyshim ky numër do të jetë shumë më i lartë krahasuar edhe me ditën e djeshme. Fatbardhësisht përkundër moshës madhore që kemi para vetës, të gjithë kanë vajtur si më së miri. Nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo reagim sa I përket kësaj kategorie”, ka theksuar ai.

Bardhi ka thënë se vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeçare do të vazhdojë deri më 13 prill, ndërsa më pas do të jenë në radhë ata mbi moshën 80 vjeçare.

Ndërkohë që ka treguar se kur do të ndodhë një gjë e tillë për personelin shëndetësorë të cilët nuk kanë arritur të marrin dozën e vaksinës.

“Jo, për momentin jo edhe përkundër që ka pasur kërkesa. Por, me qëllim që të mos duplifikojmë mbi bazën e profesionistëve dhe të moshuarve. Për momentin e kemi të evituar, por gjithsesi edhe ajo pjesë do të jetë në konsideratën tonë. Por, për momentin prioritet e kemi moshën mbi 85 vjeçare”, ka shtuar ai.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar me datën 29 të muajit të kaluar. Një ditë më parë ishte pranuar kontingjenti i parë i vaksinave “AstraZeneca” nga kompania COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /KP

Reklame e sponzorizuar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here