Përplasje në mbledhjen e KQZ-së

0
62
Reklame e sponzorizuar

Valdete Daka e pati edhe një seancë të sikletshme të kryesimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë të shtune.

Kjo derisa në rend të ditës ishte aprovimi i formularëve të rezultateve të kandidatëve, ku aty nuk është lënë hapësirë për kandidatët e pacertifikuar.

Me diçka të tillë nuk u pajtuan dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Alim Rama e fajësoi Dakën se qëllimshëm po krijon telashe në proces.

“Kjo është me qëllim për të krijuar probleme teknike në proces zgjedhor. Unë nuk them se votat do të numërohen në formularin tjetër. Numërohet dhe regjistrohet secila votë, sepse është një kampanjë nëpër rrjete sociale ‘jo nuk numërohen, jo është e pavlefshme. Secila votë për cilëndo parti është votë e vlefshme edhe votohen deri në pesë kandidatë”, ka thënë ai.

Fort i zëshëm ishte edhe Sami Kurteshi duke e akuzuar Dakën për qasje kundër Vetëvendosjes dhe liderit të saj.

“Është Lëvizja Vetëvendosje – strumbullari është emri i Albin Kurtit që po i pengon. Nuk zhduket, ai është një njeri që nuk zhduket”.

Por, kryetarja e KQZ-së, që një ditë më herët u ankua se Vetëvendosje e ka shndërruar në personin më të urryer në Kosovë, reagoi ndaj Kurteshit.

Kundër debatit të nxitur nga Rama dhe Kurteshi reagoi edhe anëtari i KQZ-së Rifat Krasniq,.

“Ne nuk kemi ardhur këtu të dëgjojmë ligjëratat e Vetëvendosjes. Unë ligjëratat i kam kryer në fakultet. Dy fakultete i kam kryer, nuk po dua t’i dëgjoj prej juve”.

Gjatë kohës sa ky fliste, Kurteshi e këshillonte të dalë jashtë.

KQZ në këtë mbledhje ka trajtuar edhe çështjen e votave me postë, ku Sekretariati ka kërkuar që pakot me fletëvotimet të cilat vijnë me posta të shpejta të mbahen në pritje në objektet e postave dhe Sekretariati të caktojë një kohë të përshtatshme që ta bëjë bartjen e këtyre zarfeve deri në vendin ku do të ruhen.

Reklame e sponzorizuar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here